Në rajonin e Tetovës ende nuk ka të ndërtuar shtëpi të pleqve, ndonëse për këtë, sipas Shoqatës së Pensionistë, nevoja është e madhe. Ata thonë se kanë marrë premtime nga pushteti lokal dhe qëndror se një gjë e tillë do të bëhet. Por, kryetari i komunës topin e hedh te Qeveria pasi nuk ia jep lokacionin të cilin komuna e ka paraparë për ndërtim të kësaj shtëpie. Heshtje nga Qeveria, shkruan Portalb.mk.

Tetova me rrethinën me vite të tëra është lënë pas dore për sa i përket përkujdesit institucional për të moshuarit të cilët kanë nevojë për strehim dhe për kujdes. Më problematike janë rastet e të moshuarve të cilët nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë dikë të përkujdeset për to.

Nevoja për shtëpi pleqsh në Tetovë është e madhe, pasi çdo ditë rriten numrat dhe rastet e reja. Në Tetovë edhe pse para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale u është premtuar shtëpia e pleqve, deri tani e njëjta nuk është realizuar. Kështu thotë për Portalb.mk, Selver Memeti, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve në Tetovë. Ai thekson se në Tetovë duhen dy shtëpi pleqsh.

“Mund të them se në programet tona është përfshirë gjithmonë ndërtimi i shtëpisë së pleqve, kemi kërkesa mjaft këtu te ne, por nuk hasim në mirëkuptim në organet edhe qeveritare edhe komunale. Është shumë, shumë, shumë e nevojshme ndërtimi i asaj shtëpie. Deri tani nuk kemi përgjigje adekuate për ndërtimin e shtëpisë, veçanërisht në Tetovë. Në Tetovë nuk ndërtohen as banesa sociale, lëne më shtëpi për pleqtë. Me të vërtetë kemi nevojë të madhe, veçanërisht tani pasi shumë të rinj kanë shkuar në perëndim janë shpërngulur, i kanë lënë pleqtë në kushte të kohës, të farefisit, fqinjëve, ato të interesohen dhe ne si shoqatë, te pensionistët tanë shkojmë te ndonjë rast i rëndë i vizitojmë, mundohemi me ndihma, por nuk është zgjidhje. Zgjidhja është të ndërtohen dy shtëpi për pleq, njëra të jetë private, njëra shtetërore”, tha Memeti i cili shtoi se me 22 degët e shoqatës mundohen që të jenë sa më afër pensionistëve për të ju ndihmuar kur ata kanë nevojë.

Të dhënat e regjistrimit të vitit 2021 tregojnë se numri i popullsisë rezidente në Komunën e Tetovës që janë të moshës mbi 60 vjeç është 15,358. Ndërkaq sipas grup-moshave si vijon:

60 – 64 vjeç: 4,930 banorë,
65 – 69 vjeç: 4,135 banorë,
70 – 74 vjeç: 2,904 banorë,
75 – 79: 1,766 banorë,
80 – 84: 1,062 banorë,
85+: 561 banorë.
Megjithatë, së bashku me komunat përreth Tetovës këto numra janë më të larta, që edhe një herë thekson nevojën për ndërtimin e shtëpive për pleq.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në lidhje me ndërtimin e shtëpisë për pleq, fajin e hedh te Qeveria, pasi sipas tij, kjo e fundit nuk ia ka dhënë lokacionin e paraparë nga komuna për ndërtimin e kësaj shtëpie.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, bashkë me sektorin civil duhet të aplikojmë për projekt të shtëpive të pleqve. Ne kemi një lokacion të përshtatshëm në rajonin e Tetovës që mund të jetë i përshtatshëm për shtëpi të pleqve. Ne kemi kërkuar që ajo t’i kalojë Komunës me vendim të Qeverisë që ne si Komunë të aplikojmë, të fitojmë projektin dhe të ecë si projekt i tillë, që nuk ka të bëjë më vetëm me komunën, ka të bëjë me komunën, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe sektorin civil. Përsëri kjo Qeveri thotë jo, ajo është në interes të qeverisë dhe gjen përgjigje formale të paarsyeshme dhe nuk e përkrah një projekt që nuk ka të bëjë vetëm me pushtetin lokal”, tha Kasami në Click Plus me 10 prill 2023.

Lokacioni të cilit i referohet Kasami, nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk sqaruan se gjendet te lokacioni te “Teqja e Shipkovicës”, e cila është në pronësi të shtetit, dhe të cilën e kanë kërkuar nga Qeveria që ta destinojë në kompetenca të Komunës së Tetovës.

Në lidhje me këtë lokacion, nga Qeveria për Portalb.mk thanë se do të përgjigjen në pyetjet tona, por deri në publikimin e këtij shkrimi përgjigje nga Qeveria nuk ka.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) për Portalb.mk tha se çdo vit publikojnë thirrje në lidhje me ndërtimin e këtyre objekteve sociale dhe të drejtë aplikimi kanë të gjithë komunat.

“Njëra nga komunat që kishte paraqitur kërkesë për ndërtimin e një shtëpie të re për të moshuarit është edhe komuna e Tetovës, por meqenëse hapësira e planifikuar që u propozua për ndërtimin e shtëpisë nuk kishte dokumente të qarta pronësore, është në pritje që komuna të gjejë dhe të propozojë një fletë të re pronësie, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është e hapur gjatë gjithë vitit për dorëzimin e kërkesave/aplikimeve për ndërtimin e shtëpive të reja ose rikonstruim dhe përshtatje të shtëpive ekzistuese për të moshuar nga komunat, për çka në ueb faqen e Ministrisë ka thirrje dhe aplikim që komunat duhet ta paraqesin me rastin e paraqitjes së kërkesës”, thanë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndryshe, në rrethinën e Tetovës, konkretisht në Komunën e Zhelinës, Tearcës dhe Jegunocit realizohet projekti për përkujdesje të të moshuarve në kushte shtëpie, përmes sektorit civil dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale me përkrahje nga Banka Botërore.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të MPPS ekzistojnë pesë institucione publike për strehimin e të moshuarve, ndërsa 40 institucione tjera private të cilat ofrojnë strehim për personat e moshuar, shumica e të cilave ndodhen në Shkup.

Në të gjithë vendin numri i popullsisë rezidente të moshës mbi 60 vjeçare është 440,090. Ndërsa numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente është 1,836,713.