Bajern Munihu nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Hofenheimin. Bavarezët edhe pse kaluan të parët në avantazh me Benjamin Pavard, nuk ia dolën të shënonin edhe të dytin për të mbyllur sfidën dhe u ndëshkuan në minutën e 71-të nga Andrej Kramariç.

Pas sfidës, trajneri i rekordmenëve gjermanë, Tomas Tushel e shprehur hapur zhgënjimin nga lojtarët e tij duke u shprehur se në fushë ata u shfaqën pa grintën e duhur.

“Mendova se edhe pas ndeshjes me Man. Sitin në mesjavë, do të ishim përgatitur ashtu siç duhej dhe do të luanim me inat në fushë. Por, nuk ishte ky rasti dhe më vjen shumë keq. Ishim të ngadaltë dhe u shfaqëm pa emocione, na mungonte shpirti i duhur. Skuadra nuk ishte mjaftueshëm e karikuar, na duhet një ndryshim. Duhet të shfaqemi më të motivuar”, u shpreh Tushel.