Presidenti i Barcelona, Zhoan Laporta, ka marrë pjesë në një konferencë shtypi të zhvilluar në lidhje me “çështjen Negreira”. Numri 1 i klubit katalanas është hedhur në kundërsulm pas akuzave të shumta që janë ngritur në adresë të tij. Ai ka futur në “valle” rivalët e Real Madrid.

 

“Nuk na pëlqen që të fitojmë duke përfituar nga favorizimet e gjyqtarëve. Ka skuadra të tjera e në veçanti njëra prej tyre që është paraqitur në proces që historikisht është favorizuar nga gjyqtarët”, tha Laporta, duke sulmuar madrilenët, duke i përmendur edhe me emër.

 

“Ata janë konsideruar si skuadra e regjimit për shkak të afërsisë që kanë me pushtetin politik dhe atë ekonomik. Mendoj se ia vlen të kujtojmë se për 7 dekada me radhë presidentët e komisionit të gjykimit janë ish-anëtarë, ish-lojtarë apo ish-trajnerë të Real Madrid”, tha më tej Laporta.

 

“Në disa raste, kanë qenë disa të tillë së bashku. Që ky klub të dalë përpara e të tregohet se ndihet i fyer në momentin më të mirë të historisë së Barcelonës… Kjo kauzë do të na shërbejë për t’i treguar të gjithëve se cilët janë ata. Ky është një cinizëm i paprecedent nga ana e tyre”, u shpreh Laporta.