Skuadra e Liverpullit, ka qenë protagonist i një sezoni shumë zhgënjyes. Skuadra e Klopit është në vendin e tetë në kampionat shumë larg zones së Ligës së Kampionëve dhe ka dalë jashtë luftës për titull shumë shpejt.
Duke parë se pjesëmarrja në edicionin e ardhshëm të kompeticion elitar europian është pothuajse i pamundur, “The Reds”, po mendon të bëjë disa ndryshime në merkaton e verës.
Në fakt, në Angli po flasin për një revolucion të vërtetë te Liverpulli. Sipas “Football Insider”, emrat e sigurt për t’u larguar nga skuadra në fund të sezonit për arsye të kontratës janë ato të Çamberlejn, Keita, Artur, Millner, Adrian dhe Firminjo.
Këtyre, sipas portalit, mund t’i shtohet edhe Xhoel Matip. Trajneri Klop, në fakt, duket se ka dhënë miratimin e tij për largimin e qendërmbrojtësit, me kusht që klubi të marrë një ofertë të përshtatshme.
Për sa i takon fushës, “Të Kuqtë” do të kthehen në fushë ditën e nesërme për të luajtur në kampionat kundër Lidsit. Ekipi I Jyrgen Klopit është 12 pikë larg vendit të katërt në renditje kur kanë mbetur edhe tetë javë kampionat për t’u luajtur.