Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden njoftoi Kongresin të hënën për shitjen e planifikuar në Turqi të avionëve luftarakë F-16, një marrëveshje me vlerë deri në 259 milionë dollarë.

Marrëveshja shkon përpara me shitjen e paketës së modernizimit për avionët e Turqisë, pasi drejtuesit e komiteteve të kongresit të SHBA dhanë miratimin jozyrtar, shkruan Reuters.

Nëse miratohet nga Kongresi gjatë procesit të miratimit zyrtar, paketa do të ishte shitja e parë e madhe ushtarake në Turqi që Kongresi ka miratuar prej vitesh.

“Turqia është një aleat i vjetër dhe i vlerësuar i NATO-s,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një deklaratë. “Administrata Biden mbështet përpjekjet e Turqisë për të sjellë pajisjet avionike të flotës së saj F-16 në standard”, shtoi ai.