Kanë nisur sinjalet e para se blerja e votave mbetet një fenomen shqetësues dhe për zgjedhjet lokale të 14 Majit, ku qytetarët ende joshen me pako ushqimore. Denoncimi është bërë nga Hasi, ku kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Miftar Dauti, ka ndaluar furgonin e djalit të kandidatit të PS Halit Mulaj.
Në furgonin e këtij të fundit gjendeshin pako me ushqime që do t’iu shpërndaheshin qytetarëve, ndërkohë që situata bëhet edhe më skandaloze, për shkak se pakot ishin marrë nga rezervat e shtetit, që përdoren në raste të fatkeqësive natyrore apo emergjencave.
Gazetari i Fax News Bekim Lekica, ka sjellë pamje ekskluzive të furgonit të ngarkuar me ushqime me logon e rezervave të shtetit, ndërsa vetë kandidati socialist e ka pohuar shpërndarjen e ‘ndihmave’ për qytetarët, në kuadër të natës së Kadrit, edhe pse orari nuk përkonte në fakt me këtë simbol të shenjtë të besimtarëve myslimanë.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese faktin, është vonesa e policisë dhe prokurorisë në verifikimin e këtij denoncimi të bërë nga Dauti, por edhe të faktuar nga gazetari në terren.
Në një tjetër video të siguruar po ashtu nga Fax News, shihen sesi dy djemtë e kandidatit socialist e mbushin makinën me pako që nxjerrin nga magazina e Bashkisë së Krumës.
“Po rrinim në qytet dhe furgoni i djalit të kandidatit të PS ishte mbushur me ndihma. E kemi ndaluar furgonin. Kemi njoftuar policinë dhe janë këtu. I kemi kërkuar policisë që ta hapë furgonin, por ende nuk është hapur. Po presim të vijnë edhe mediat. Me këto ndihma kandidati i PS po tenton të blejë votat në Has, po përdor të gjitha mjetet. Shfrytëzon postin edhe duke shkuar nëpër shtëpitë e familjarëve duke blerë vota”, u shpreh Dauti.
Ndërkohë që vetë Mulaj shkruan në një reagim në Facebook, duke pranuar shpërndarjen e ushqimeve:
Ne kete nate KADRI
Dua te shpreh gjith keqardhjen time, gjith neverine Dhe indinjaten jo vetem timen, ndaj rivalit tim qe disa pako tradicionalisht te perviteshme ne kete nate te bekuar jepen, po e egzagjeron si blerje votash.
Me vjen turp Dhe ju them sinqerisht se nuk arrij ta kuptoj gjjth kete egzagjerim
E vetmja gje qe Po kuptoj ne gjith kete histori eshte se rivali im Po tregohet Shum I Vogel , gje qe une Nuk e dija qe eshte ne kete nivel
Te dashur miqt e mije nuk dua te merrem me vogelsira, ja u le ne dore ju te dashur Hasian, ta refuzoni masivisht kete vogelsire, me 14 maj
Duke ju kerkuar ndjes per kete reagim te detyruar nga sjellja negative e rivalit, uroj vetem Gezime ne familjet tuaja..!!
Deri në momentet që flasim policia nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me këtë incident të rëndë elektoral, e as prokuroria nuk është deklaruar për ndonjë nisje hetimesh.
(E.K/Faxweb.al)