Bashkimi Evropian (BE) i dha Maqedonisë së Veriut mundësinë për të dalë nga rrethi vicioz i vetëshkatërrimit. Megjithatë, ndarja e skenës politike maqedonase e vendos vendin dhe potencialin e tij për përparim në pasiguri, shkruan në shkrimin e saj të fundit autorial, Biljana Jordanovska nga Qendra për Liri “Civil”, përcjell Indeks.mk
“Me konstelacionin aktual politik, institucionalisht, proceset e integrimit të Maqedonisë në BE po ecin (pothuajse) pa probleme. Përkundër faktit se jo-zyrtarisht, fushata elektorale ka nisur prej kohësh dhe kundër pengesës bullgare, procesi po zhvillohet, është duke ecur përpara. Ky proces duhet të vazhdojë me forcimin e radhëve pro-evropiane deri në zgjedhjet e vitit 2024. Duhet të ruhet vazhdimësia”, shkruan Jordanovska.
Por çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve dhe si do të ndikojë rezultati i tyre në rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë?
Sipas saj, deklarata e VMRO-DPMNE-së për të ardhmen evropiane të vendit nuk vlejnë shumë.
“Sidomos kur shoqërohet me revizionizëm, kushte dhe mungesë vullneti për dialog dhe kompromise. Por, VMRO-DPMNE, përkundër dyfytyrësisë dhe mënyrës së sjelljes së politikës së brendshme, ende ka potencial që të mos devijojë nga rruga evropiane. Jo se nuk ka shumë probabilitet që orientimi pro-evropian i një pjese të anëtarësimit të dështojë nën presionin e nacionalistëve – por e ka atë potencial”, nënvizon ajo.
Ajo potencon se “Levica” anti-evropiane e ka të garantuar ngecjen ose të duhet të ndryshojë politikat dhe praktikat e mira që kjo qeveri po përpiqet të vendosë.
“Për Levicën nuk ka nevojë të sqarohet se çfarë dhe si më tej. Ata janë një opsion i garantuar anti-evropian. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 do të jenë në shumë mënyra vendimtare në çështjen kyçe për të ardhmen e vendit dhe kjo tashmë është e dukshme, veçanërisht në kontekstin e proceseve demokratike ku parimet dhe vlerat evropiane duhet të jenë prioritet në programet zgjedhore”, shprehet Jordanovska.(Indeks.mk)