Kampioni i botës në peshën e rëndë (kategoria VBC), Tajson Fjuri, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar për idenë se në dhjetor, në Arabinë Saudite, të zhvillohet një mbrëmje magjike boksi, ku në ring do të ngjiten katër boksierët më të mirë të peshës së rëndë.

Bëhet fjalë për një natë ku përballë njëri-tjetrit do të duelojnë fillimisht Uajllderi dhe Xhoshua, pasuar më tej nga sfida e unifikimit të titujve kampionë bote mes Usyk dhe Fjuri.

“Mund t’ju konfirmoj se gjithë këto lajme janë thjesht gënjeshtra, absolutisht të pavërteta”.

Ai që pat konfirmuar i pari këto bisedime për këto dy duele është Edie Hern, menaxheri i Xhoshua, pasuar më tej nga lajmi i këtij të fundit se do të rikthehet në ring në dhjetor.

Edhe trajneri i Uajlder deklaroi se këto negociata janë të vërteta, ndërkohë që Fjuri duket i vetmi për momentin se ka dalë kundër rrymës.

Tajson Fjuri, pasi dështoi të organizojë duelin ndaj Oleksandr Usyk, ende nuk ka vendosur se kur do të rikthehet në ring dhe se ndaj kujt do të duelojë. I pamposhtur në karrierën e tij, Fjuri pritet të duelojë sërish këtë verë.