
Ushtria ukrainase do të nisë përfundimisht një kundërofensivë, por nuk ka gjasa që ajo të filloi së shpejti, në kushtet e baltës, tha Yevgeny Prigozhin, komandanti dhe themeluesi i grupit mercenarë rus, Wagner.
“Ofensiva nuk mund të nisë tani për arsye mjaft të kuptueshme – ka baltë të tmerrshme. Këtu nuk mund të lëvizin lirshëm as kamionët, lëre më automjetet e rënda dhe tanket. Do të duhen dhjetë ditë që toka të thahet”, tha ai.
Prigozhin shtoi se nuk e di se kur Ukraina do të nisë një sulm, por se është fakt që do të ndodhë.
Ukraina, nga ana tjetër, pretendon se e kontrollon shumë më shumë se 20 për qind të qytetit të Bakhmutit. Luftimet kanë vazhduar prej muajsh, pa asnjë shenjë të përfundimit.