
Siria dënoi sanksionet evropiane, të vendosura kundër individëve dhe entiteteve të lidhura me Qeverinë e presidentit, Bashar al-Assad, duke argumentuar se masat parandalojnë që të dërgohen ndihma në zonat e prekura nga tërmetet shkatërruese.
Bashkimi Evropian më 24 prill vendosi sanksione ndaj 25 individëve dhe tetë entiteteve, të cilat i akuzoi për përfshirje në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për trafikim droge në Siri.
Blloku evropian tha se sanksionet “nuk synojnë të pengojnë ndihmën humanitare që dërgohet në ndonjë pjesë të shtetit” që janë goditur nga tërmetet vdekjeprurëse të shkurtit.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme siriane akuzoi BE-në për “gënjeshtra të përsëritura” duke “pretenduar se sanksionet ndaj Sirisë nuk pengojnë dërgesat e ndihmave humanitare apo qasjen në ushqim dhe pajisje mjekësore”.
Sanksionet “janë kërcënim serioz për jetën e sirianëve”, tha ky zyrtar.