Skuadra e Tottenhamit e shkarkoi Kristian Stellinin nga pozita e trajnerit të përkohshëm të klubit, duke e zëvendësuar atë me Rajan Mejson. Stellini u shkarkua pas humbjes së tmerrshme 6:1 nga Njukaswll, ku në këtë ndeshje Tottenhami kishte pësuar plot pesë gola qysh në pjesën e parë.
Shefi i Totenhamit, Daniel Levi vendosi ta largojë Stellinin dhe ta sjellë Mejsonin në krye të klubit përkohësisht, deri sa të emërohet trajneri i përhershëm i klubit. Mejsoni kishte drejtuar Tottenhamin si trajner i përkohshëm edhe gjatë sezonit 2020/21 në shtatë ndeshje, ku kishte regjistruar katër fitore dhe tre humbje. Tani, i pyetur për punën e trajnerit te Totenhamin, Mejson u shpreh absolutisht i gatshëm.
“Unë ndjehem i gatshëm për punën. E di që jam i gatshëm. Unë jam absolutisht i gatshëm për këtë situatë të përkohshme. E kemi menaxhuar mirë para dy vitesh. Në fund të fundit nga këndvështrimi im ndihem mirë, ndihem gati”, tha Mejsoni.
Tottenhami momentalisht renditet në pozitën e gjashtë në tabelë në kuotën e 53 pikëve, gjashtë sosh larg vendit të katërt që siguron futbollin në Ligën e Kampionëve.