Në pajtim me Programin për financimin e infrastrukturës rrugore për projektin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d për vitin 2023, të miratuar në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut të mbajtur më 23 mars të këtij viti, si edhe publikimin në Gazetën zyrtare, është kryer transferi i parë në llogarinë e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dedikuar për realizimin e këtij projekti të madh infrastrukturor, me ç’rast janë paguar mjete ndaj NPRRSH në lartësi prej 7.254.000.000 denarë apo 117.000.000 euro.

Sipas detyrimeve ligjore të ligjit të posaçëm dhe Marrëveshjes së nënshkruar me Konsorciumin Behtel-Enka si dhe sipas Programit të Qeverisë, këto mjete janë të dedikuara për mobilizim, ekipim me mekanizim, ngritjen e kampeve, laborator dhe punë të tjera nga zbatuesi para fillimit të punimeve me aktivitete ndërtimore në trasetë Aksi 1 – aksi Tetovë – Gostivar, me gjatësi prej rreth 17,5 kilometra, Aksi 2 – aksi Gostivar Bukojçan, me gjatësi prej rreth 30,3 kilometra, Aksi 3 – autostrada Trebenisht – Strugë – Qafthanë, me gjatësi prej 17,5 kilometra, Aksi 4 – autostrada Prilep – Manastir me gjatësi prej 39, 3 kilometra.

Gjatë periudhës së ardhshme, do të realizohen edhe punimet përgatitore siç janë incizimi i lokacioneve, përgatitja e projekteve urbanistike, të projekteve themelore, qëllimi i së cilave është të fillojnë edhe procedurat për tjetërsim dhe projektim. Si periudhë për përfundimin e punimeve për të gjitha katër akset, siç njofton Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, është paraparë muaji dhjetor 2027. Gjegjësisht, punimet ndërtimore në të gjitha këto akse rrugore duhet të përfundojnë për periudhë prej 57 muajsh. Korridoret 8 dhe 10 d janë projekti më i madh infrastrukturor strategjik me interes nacional për shtetin.