Kanadaja është vendi më tërheqës për studentët e huaj, sipas një sondazhi të kryer nga kompania IDP Connect. Mbi 20,000 studentë të ardhshëm dhe aktualë nga mbi 100 vende të botës morën pjesë në anketë.
Rreth 34 për qind e të anketuarve thanë se po mendonin të aplikonin për studime në të paktën tre nga vendet me më shumë studentë ndërkombëtarë (Australi, Kanada, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara). Sondazhi tregoi se interesi për Australi dhe Mbretërinë e Bashkuar u ul pak në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa interesi për Shtetet e Bashkuara u rrit.
Sipas rezultateve, studentët ishin të interesuar për mundësitë e punës në këto vende. Rreth 63 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se puna pas studimit është faktori më i rëndësishëm që ata marrin parasysh kur mendojnë për vendin në të cilin do të studiojnë.
Vitin e kaluar, Kanadaja kishte një rekord prej 551,405 studentësh nga 184 vende. Shumica e studentëve të huaj janë nga India dhe Kina.