Romelu Lukaku ka kthyer formën e tij më të mirë dhe në fazën finale të kampionatit po tregohet vendimtar për Interin. Javën e kaluar sulmuesi belg realizoi dy gola, teksa ndaj Lacios, dha kontribut të madh me dy asistime në fitoren e Interit 3-1.

Por e ardhmja e belgut vazhdon të jetë e paqartë, pasi ai është i huazuar te Interi nga Çellsi deri në fund të sezonit. Drejtori i Interit, Xhiusepe Marota ka folur për të ardhmen e tij, duke thënë se gjithçka varet nga Chelsea pasi Lukaku është nën kontratë me klubin londinez.

“Lukaku e dashuron Interin dhe këtë qytet, por tani ai është një lojtar i Çellsit, kështu që vendimin përfundimtarë do ta marrin ata. Ne do të diskutojmë të ardhmen e Lukakut me trajnerin dhe bordin dhe do të shohim, por ai është një lojtar profesionist dhe e dashuron Interin. Kjo është e rëndësishme”, tha Marota.

29-vjeçari ka zhvilluar 28 ndeshje zyrtare me Interin këtë edicion ku ka realizuar nëntë gola dhe ka asistuar në pesë të tjerë.