Grupi rus Wagner, i cili po udhëheq sulmin në qytetin lindor të Bakhmutit, së shpejti mund të pushojë së ekzistuari, ka paralajmëruar themeluesi i tij Yevgeny Prigozhin.
Prigozhin i bëri komentet për blogerin rus të luftës Semyon Pegov.
“Sot po arrijmë në pikën ku grupit Wagner po i vjen fundi”, tha Prigozhin.
“Wagner, në një periudhë të shkurtër kohe, do të pushojë së ekzistuari. Ne do të bëhemi histori, asgjë për t’u shqetësuar, gjëra të tilla ndodhin”.
Nuk është e qartë se kur foli ai dhe sa e kishte seriozisht atë që po thoshte.
Shefi i Wagner është ankuar vazhdimisht për mënyrën se si Rusia po e zhvillon luftën në Ukrainë dhe më parë ka thënë se njerëzve të tij nuk po iu jepen municionet që u nevojiten nga Kremlini.
Ai njihet për sensin e tij ironik të humorit, dhe në fillim të kësaj jave bëri shaka se forcat e tij do të ndalonin granatimet e Bakhmutit për të lejuar forcat ukrainase t’ua tregonin qytetin gazetarëve amerikanë.
Javën e kaluar, ai shprehu gjithashtu shqetësim për një kundërsulm nga trupat ukrainase të pajisura mirë në Bakhmut.