
Mijëra persona dolën në sheshe në disa qytete të Gjermanisë për koston e lartë të jetesës, duke i kërkuar qeverisë të ndërhyjë menjëherë për të ndryshuar situatën.
E ndikuar nga kriza në Ukrainë, rritja pa ndalim e çmimeve të jetesës në Gjermani i ka vënë shumë qytetarë të këtij vendi në presion të madh.
Vitin e kaluar, inflacioni në Gjermani arriti në nivelin rekord prej 7.9 %, shifra këto që nuk ishin regjistruar që prej 70 vitesh.
Me synimin e qartë për t’i kërkuar qeverisë të ndërhyjë, të paktën 12 000 berlinezë dolën në rrugët e kryeqytetit. Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, protesta u monitorua nga më shumë se 6000 policë.
Në të njëjtën ditë, protesta të ngjashme u mbajtën në Stuttgart, Hamburg, Bremen dhe Mannheim.
Teksa kancelari Olaf Scholz, gjatë një takimi me Konfederatën e Sindikatave të Tregtisë pranoi se Gjermania po përballet me mungesë të krahut të punës. Ai ftoi kompanitë që të ofrojnë mundësi më të mëdha për të afruar të rinjtë dhe emigrantët, për zgjidhjen e problemit të punësimit.