Administrata amerikane ka vendosur të dislokojë 1500 ushtarë në kufi me Meksikën nga frika e një vale të re emigrantësh të paligjshëm nga vendet e Amerikës Latine.

Autoritetet parashikojnë karvanë emigrantësh drejt “tokës së premtuar” pasi në ditët që vijnë marrin fund dhe kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder deklaroi se masa u vendos pas kërkesës së bërë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili menaxhon kufirin.

Sipas Zërit të Amerikës, trupat do të vendosen në kufi për rreth 90 ditë dhe qëndrimi i tyre mund të zgjatet, nëse do të shihet e nevojshme.

Kufizimet e lidhura me pandeminë e COVID-19-s u dhanë mundësi zyrtarëve amerikanë të kthejnë mbrapsht me dhjetëra mijëra imigrantë që kishin mbërritur në kufirin jugor të vendit. Por këto kufizime do të hiqen më 11 maj, ndaj dhe zyrtarët në kufi po përgatiten për një rritje të pritshme të numrit të emigrantëve.