Federata e Futbollit e Kosovës po vazhdon ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për xhiron e 34-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të SC Gjilani, Mevlan Zeka. Komisioni i veteranëve të futbollit vendosi që epiteti i yllit të javës për këtë xhiro t’i takojë futbollistit të Gjilanit, pasi në ndeshjen kundër Dritës ishte njëri nga më të angazhuarit dhe tregoi lojë shumë të mirë. Përveç kësaj, ai realizoi edhe golin e barazimit nga penalltia, duke qenë më meritori që Gjilani mori një pikë në derbi.
Sulmuesi anësor i SC Gjilani u shpreh i lumtur që mori këtë çmim, derisa theksoi se skuadra e tij është afër arritjes së objektivave të këtij edicioni.
“Kënaqësi e veçantë të shpallesh “Ylli i Javës” sidomos në ndeshjen derbi të qytetit, kur dihet rivaliteti i dy klubeve. Personalisht po kaloj në një formë të mirë tek SC Gjilani dhe po e ndihmoj skuadrën drejt arritjes së objektivave, pasi tani jemi në finale të Kupës dhe shumë afër sigurimit të plasmanit në Evropë. Për formën timen padyshim që duhet të falënderoj bashkëlojtarët dhe shtabin teknik, të cilët më kanë ndihmuar shumë. Ky çmim i dedikohet tifozëve ‘Skifterat’, të cilët pavarësisht rrugëtimit tonë, e që nuk ka qenë i lehtë, na kanë qëndruar gjithmonë afër gjatë tërë vitit”, tha Mevlan Zeka për faqen zyrtare të FFK-së, njofton Klankosova.