(Analizë e portalit indeks.mk)

Sa do të kishin dashur Sali Berisha e Ilir Meta të mos kishin ndodhur fare zgjedhjet vendore të 14 majit. Por, për fat të keq të tyre, përkundër shpresës së madhe, fituan rezultatin që i ballafaqon me realitetin e hidhur: sot kaq vlejnë në “pazar”!

Rezultati është përtej dëshirave të tyre, por jo dhe përtej pritjeve. Sepse, rrallëkush autoritet opinionistik ka thënë se koalicioni i fraksionit të Berishës në kuadër të PD-së me Partinë e Lirisë së Ilir Metës,( e PD-në “e vulës” tëë Alibeajt as që e kanë në kantar), mund të bëjnë diçka kundrejt Partisë Socialiste monolite.

Janë një varg hendikepesh që iu mblodhën opozitës së Shqipërisë që nuk e lanë ta kalojë Rubikonin.

Sigurisht që e para është vetë Partia Demokratike, me të gjitha veprimet e dështuara të Lulzim Bashës në të kaluarën, dhe tash së fundmi me hallin e madh personal të vetë Berishës, me statusin “e të padëshiruarit” nga SHBA-të.

Lideri historik i PD-së ka shumë vyrtyte dhe huqe dhe një trashëgimtar i tij s’mund të largohej fort pos të imitojë atë. Një nga ato imitime që Berisha ia la pasardhësit të tij, përndryshe trashëgimtari i zgjedhur Lulzim BASHA, ishte kokëfortësia. Në një momentum politik kur PD-ja pësonte humbje pas humbje nga PS-ja e Edi Ramës, ai bëri një llogari të gabuar pa hanxhiun, duke marrë vendim drastik për të dalë nga institucionet (djegia e mandateve) bashkë me LSI-në (“çadra” e famshme), duke menduar se kështu do të bënte presion për të shkuar në zgjedhje të parakohshme që ai mendonte se mund t’i fitonte. Por ky veprim, i ndërlidhur edhe me mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale të radhës, u tregua i dështuar, sepse kështu ua la gjithë terrenin kuadrove të partisë socialiste dhe nëse ka një arsye pse sot Tropoja si bastion i dikurshëm i Sali Berishës kalon në duart e socialistëve(me mbi 60 për qind të votave!), është pikërisht ky përjashtimi i vetëvetes nga të gjitha nivelet e pushteteve, gjë që ka lënë pasoja të pariparueshme.

Çështja tjetër është halli i Berishës, prej se “i zgjedhuri”, Basha, ishte i detyruar ta largojë nga grupi parlamentar të PD-së, pasi qe futur në “listën e zezë” të Departamentit të Shtetit Amerikan. Në vend se t’i lë frymë veprimi partisë së tij pa e ngarkuar me barrën e vet personale, ai zgjodhi të kundërtën. Në tentimin për t’ia “marrë” partinë prapa për ta pasur si mburojë, pasoi drama politike që është parë edhe në disa mjedise tjera shqiptare. Me një përçarje dramatike dhe një luftë të pakompromis, si politike, si juridike, si njerëzore, pasojat do të ndiheshin patjetër. Fitorja në një fushë, atë politike e Berishës kundrejt trashëgimtarit të Lulit(“kryetar në detyrë”), u përshkua me humbje juridike(vulat mbetën te Alibeaj me vendim të gjyqit), që në betejën e radhës, më 14 maj, të humbin që të dy grupet politikisht kundrejt atij që duhej të ishin bashkë, Edi Ramës.

Një diagnozë të saktë të shkakut të humbjes së thellë opozitare e dha fituesi i Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se PS-ja i ka marrë votat e trupit të tyre votues, ndërkaq abstinenca ka qenë te votuesit e opozitës, çka për shkak të përçarjes së brendshme të PD-së, edhe më tepër për shkak se një pjesë e tyre nuk kanë dashur të rreshtohen kundër SHBA-ve me votën pro-Berishës.

Nëse mund të nxirret ndonjë leksion, për PD-në ka më shumë sish. Po të shërbehemi me terminologjinë që e ka nxitur fraksionizmi, pa dyshim se Partinë Demokratike e përfshiu një lloj beteje e “grupeve të zjarrit”(ndonëse nuk dimë kujt t’ia lëmë këtë epitet), të cilat në vlugun e betejës, në fund u defaktorizuan tejmase, duke ia siguruar kështu Edi Ramës jo vetëm edhe këtë mandat të pushtetit lokal, por sigurisht edhe një a dy mandate të sigurta, sepse një PD e përçarë, duke u marrë me veteveten, nuk ka gjasa për t’u rikthuer.

Kjo është situatë shumë më e rëndë për PD-në se sa kur doli me gjithë ato “fashat” e 1997-tës.

Për mossuksesin e Berishës gjithsesi ishte vendimtar edhe koalicionimi “shpresëdhënës” me Partinë e Lirisë së Ilir Metës. Streha që i ofroi ai Berishës ishte dyfish kontraproduktive. Shumë analistë thanë se për elektoratin e djathtë, kjo strehë ishte e papranueshme. Dhe e dyta, shkrimet e disa mediave për bashkëshorten e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, se ka marrë para nga burime të dyshimta ruse kur ishte në krye të LSI-së, edhe një herë i vunë dy liderët opozitarë në pozita të kundërta të SHBA-ve, një njollë e pashlyeshme. Kapaku i kësaj ishte edhe zënia në flagrancë e kandidatit të tyre për Himarën për blerje votash, që zbuloi të vërtetën se për gjithë atë që ata dy akuzonin Ramën, ishin në gjendje t’i bëjnë vetë.

Rezultati i të gjitha këtyre është ai që sot kemi: pothuajse e gjithë Shqipëria “ka bleruar” në ngjyrat rozë të Partisë Socialiste.