Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, Robert Menendez, ka kritikuar ashpër sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Menendez, ndryshe senator i Partisë Demokratike nga shteti i New Jerseyt, kryesoi seancën dëgjimore të zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Punëve të Jashtme, Derek Chollet dhe Gabriel Escobarit mbi situatën në Ballkanin Perëndimor (Kosovë, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut).

Në fjalën hyrëse për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai tha se nuk beson se të gjithë akterët po veprojnë njëlloj në mirëbesim, transmeton Telegrafi.

Senatori deklaroi se “Vuçiqi po u thotë diçka tjetër liderëve perëndimorë ndërsa një gjë tjetër popullit serb përmes mediave të kontrolluara nga shteti”.

Për 69-vjeçarin, ka një ngjashmëri mes retorikës së liderit serb dhe të presidentit rus, Vladimir Putin, raporton klix.ba.

“Duke kontrolluar informacionin dhe minuar shoqërinë civile, Vuçiq vazhdon të avancojë narrativën kombëtare serbe për kombin e madh serb, i cili i ngjan vizionit të Putinit për një Rusi të madhe”, theksoi ai.

Ligjvënësi amerikan kujtoi lidhjet e ngushta mes presidentit serb dhe homologut rus ndërsa pohoi se “Serbia po refuzon t’i bashkohet Bashkimit Evropian në sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit të këtij vendi ndaj Ukrainës”.

Ai përmendi edhe shkrimin e gazetës me ndikim të New York Times për lidhjet e presidentit serb me huliganët dhe krimin e organizuar.

Ndryshe, Chollet dhe Escobar folën më së shumti për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, shkruan nova.rs.

Ata vunë në dukje edhe ndikimin e Kinës dhe Rusisë, korrupsionin, çështjen e pavarësisë energjetike dhe sigurinë kibernetike si sfidat më të mëdha për Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/