Përveç shfrytëzimit të ujit mineral, i cili ka veti shëruese, qytetarët këtë pjesë të qytetit e shfrytëzojnë edhe si vend për t’u çlodhur, për sport, rekreim, për t’i ikur rrëmujës së qytetit dhe për të shijuar freskinë sidomos gjatë verës

Rruga për në Banjën e Tetovës vite me radhë vazhdon të jetë e rrezikshme për shkak të erozionit të dheut. Edhe pse para disa viteve ishte ndërtuar një murr mbrojtës megjithatë i njëjti nuk kryen funksionin siç duhet. Problemet kanë filluar më shumë të paraqiten pas vërshimeve të vitit 2015 e këndej, kur një pjesë e rrugës ishte shkatërruar pothuajse tërësisht. Nga komuna e Tetovës thonë se kanë fituar një projekt nga UNDP-ja dhe kjo e fundit është kompetente për rrjedhën e punës në teren.“Informacionet që i kemi nga UNDP-ja tregojnë se shkaku Ii kushteve klimatike ka erozion të dheut dhe nuk mund të punohet. Nga investigimi që është bërë ata kanë vlerësuar se në fillim të qershorit do të nisin punimet në atë rrugë. Pra, gjithçka bëhet dhe mbikëqyret nga UNDP-ja. Mjetet të cilët janë ndarë për atë rrugë janë 17 milionë denarë dhe presim që deri në fund të qershorit të përfundojnë punët atje”, tha Besar Durmishi, kryetar i këshillit të komunës së Tetovës.

Problem në vete është se një kohë të gjatë në këtë rrugë në disa vende nuk punon ndriçimi publik. Qytetarët përmes rrjeteve sociale janë ankuar se krahas rrezikut nga erozioni i dheut, problem në vete paraqet edhe mungesa e ndriçimit publik. “Prokurimi publik për ndriçimin publik ka përfunduar dhe kompania e cila e fituar tenderin ka nisur të dorëzojë llambat deri tek sektori kompetent që merret me ndërrimin e llambave elektrike dhe gjithkund ku ka mangësi të këtilla do të intervenojmë” tha Besar Durmishi, kryetar i këshillit të komunës së Tetovës. Mungesa e murit mbrojtës përgjatë rrugës ka bërë që të ketë në vazhdimësi erozion të dheut. Në këtë rast rrezikohen këmbësorët por edhe dëmtohen automjetet.

Nga ana e autoriteteve të komunës së Tetovës apelohet që derisa të përfundojnë punimet në rrugën e Banjës së Tetovës, qytetarët të kenë kujdes kur lëvizin. Ndryshe, Banja e Tetovës, është një nga vendet më të frekuentuara nga tetovarët, e cila ndodhet në pjesën periferike të qytetit, përreth lumit Shkumbin. Përveç shfrytëzimit të ujit mineral, i cili ka veti shëruese, qytetarët këtë pjesë të qytetit e shfrytëzojnë edhe si vend për t’u çlodhur, për sport, rekreim, për t’i ikur rrëmujës së qytetit dhe për të shijuar freskinë sidomos gjatë verës. Edhe pse është një nga qendrat me atraksion më të lartë në Tetovë, banja e Tetovës nuk është mirëmbajtur aspak. Kohëve të fundit në këtë vend janë ndërtuar edhe restorante të cilët kanë shtuar dukshëm fluksin e qytetarëve por infrastruktura aspak nuk i plotëson nevojat e atyre që dëshirojnë të vizitojnë këtë vend. Problem në vete është se edhe shtrati i lumit nuk është i rregulluar. (koha.mk)