Komiteti i Garave pran Federatës së Futbollit në Spanjë, ka sanksionuar ekipin e Valencias për ngjarjen e fundit në sfidën ndaj Real Madridit. Klubi spanjoll është dënuar me pesë ndeshje pa tifozë në stadiumin “Mestalja” dhe 45 mijë euro për thirrjet raciste ndaj lojtarit brazilian, Vinicius Junior.

Mbrëmja e së dielës nuk shkoi aspak mirë në stadiumin historik të “Mestalja”-s, ku tifozët fyenin rëndë lojtarin e Real Madrid në baza racore dhe duke hedhur gjësende në fushë.

“Konsiderohet e provuar se, siç pasqyrohet nga arbitri në procesverbalin e tij, gjatë ndeshjes së sipërpërmendur ka pasur të bërtitura raciste ndaj Vinicius, lojtar i Real Madrid CF, duke ndryshuar rrjedhën normale të ndeshjes dhe duke i konsideruar shkeljet shumë të rënda. Përveç kësaj, ndaj Valencias është vendosur një sanksion ekonomik prej 45 mijë eurosh”, shkruhet në njoftimin e RFEF./Lajmi/