
Milani synon Romellu Lukakun. Ajo që deri pak ditë më parë mund të lexohej nga shumëkush si një veprim i thjeshtë provokues ndaj Interit, në fakt është diçka krejt ndryshe. Sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, jo vetëm që është konkret interesimi i “kuqezinjve” për sulmuesin belg, por tashmë është formuluar një ofertë reale për Çellsin.
Me pak fjalë, Milani tashmë ka folur me përfaqësuesit e lojtarit dhe ndër të tjera, me lëvizjen e tij e ka bërë më të përpjetë rrugën e qëndrimit të ‘Big Rom’ tek Interi. Po, sepse klubi zikaltër tani e ka shumë të qartë se një ofertë për një tjetër huazim nuk do të mjaftojë më për të rikthyer Lukakun. Ndër të tjera, koncepti është ripërsëritur edhe nga Çellsi, që është gati ta shesë belgun, por vetëm në mënyrë të plotë dhe kundrejt një oferte 40 milionë euro.
Lukaku nuk e ka menduar kurrë të veshë fanellën e Milanit, por ngjarjet e fundit mund të ndryshojnë këndvështrimin e gjërave. Sulmuesi belg aktualisht ka vetëm dy opsione në dispozicion: Arabinë Saudite ose “kuqezinjtë”. Dëshira e tij është të qëndrojë tek Interi, por do të donte që klubi zikaltër të jepte disa sinjale konkrete, të cilat do të nënkuptonin tejkalimin e ofertave të thjeshta huazimi.