Humbja e përshpejtuar e biodiversitetit dhe rritja e shkallës së zhdukjes së specieve është një kërcënim i madh për ekosistemet e botës. E megjithatë, përcaktimi sasior i këtyre humbjeve në shkallë të gjerë nuk është i mundur, kryesisht për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme. Një studim i ri mund të ndryshojë lojën.

Studimi tregon se një informacion i tillë tashmë mund të gjendet në formën e ADN-së mjedisore, e cila është mbledhur pa dashje në filtrat e mijëra stacioneve të monitorimit të cilësisë së ajrit në mbarë botën për dekada të tëra. Rrjetet e stacioneve matëse të ajrit që kanë ekzistuar për dekada mund të përdoren për të monitoruar biodiversitetin përmes mostrave që ata mbledhin.

– Rrjetet ekzistuese dhe të krijuara të cilësisë së ajrit janë një burim potencialisht i madh i pashfrytëzuar i të dhënave të biodiversitetit. Këto rrjete po marrin vazhdimisht mostra grimcash dhe tani ne kemi mundësinë ta përdorim këtë në një mënyrë krejtësisht të re – tha Andrew Brown, një studiues në Laboratorin Kombëtar të Fizikës në Teddington, Mbretëria e Bashkuar.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se është e mundur të identifikohen speciet e kafshëve në një kopsht zoologjik duke marrë mostra nga ajri i kopshtit zoologjik.

Në studimin e ri, një grup shkencëtarësh testuan mostrat e ADN-së në ajër të mbledhura nga stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit. Ata zbuluan mostra të ADN-së nga mbi 180 bimë të ndryshme, kërpudha, insekte, gjitarë, zogj dhe grupe të tjera të kafshëve. Filtrat e stacioneve përmbanin ADN nga 34 lloje zogjsh. Shkencëtarët arritën në përfundimin se këto stacione kishin mbledhur pa dashje sasi të mëdha të të dhënave të biodiversitetit për vite me rradhë.