Mediat britanike këmbëngulin se sulmuesi shqiptar Armando Broja do të lërë ekipin e Çellsit këtë verë për t’u transferuar të rivalët e Uest Ham. Sulmuesi kuqezi do të qëndrojë kështu në Londër, por do të luajë për “Hammers”, ku pritet të ketë më shumë hapësira pas blerjeve të shumta që ka kryer Çellsi.
Skuadra e Uest Hemit dëshiron të nënshkruajë me 21-vjeçar shqiptar, që vlerësohet shumë në Angli, për aftësitë e tij të shkëlqyera para porte. Pak ditë më parë, Broja shprehu habinë e tij për faktin se trajneri Poketinjo solli një sulmues të ri te Çellsi, duke bërë që konkurrenca për një vend titullari të jetë më e madhe.
Uest Hemi po monitoron prej kohësh situatën dhe nuk tremben nga fakti që Broja vjen nga dëmtim i rëndë në dhjetorin e kaluar. Shqiptari është përshkruar si një sulmues “i jashtëzakonshëm” (The Athletic), ndërsa “One Football” e cilëson atë si “vdekjeprurës”.
Broja duket se i përshtatet në mënyrë ideale lojës që trajneri Dejvid Mojsi aplikon te Uest Ham. Duke marrë parasysh mënyrën në të cilën ai e kalon kundërshtarin me vrapime të palodhura në krahë, është e lehtë të kuptohet pse Mojs dëshiron të nënshkruajë atë.