Më 5 gusht, në Teksas do të zhvillohet sfida e boksit mes Nate Diaz dhe Xhejk Poll. I pari është një nga ikonat e arteve marciale mikse, që në moshën 38-vjeçare do të debutojë në ring. Ndërsa i dyti është një personazh i njohur i “YouTube”, ku numëron 6 fitore e 1 humbje në boks.

Dy personazhe që gjithnjë shkaktojnë kaos dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe edhe në sfidën që do të zhvillojnë pas 24 orësh. Takimi i fundit “ballë për ballë” zhvilluara para fansave ishte një “shou” i denjë për dy luftëtarët edhe pse nuk u përfshinë direkt mes tyre, por stafet e tyre.

Dy boksierët debatuan për gati dy minuta duke qëndruar gati një metër larg njëri-tjetrit, por sapo i kanë kthyer shpinën ka nisur sherri. Stafet e dy luftëtarëve u kapën keqazi mes tyre, ku nuk munguan grushtet e kacafytjet edhe pse për momentin nuk dihet se cila ka qenë arsyeja.

Diaz e Paul shkëmbyen mjaft batuta mes tyre, duke përdorur edhe fjalor të ulët, siç ishte e pritshme. Forcat e sigurisë ndërhynë për të ndarë dy stafet, që shkëmbinin grushte mes tyre, ndërkohë që turma dukej se mezi po e priste këtë moment. Kjo situatë kaotike pritet të sjellë mjaft grintë edhe në ring mes dy boksierëve.