Pas largimit të mesfushorit brazilian Fabinjo, një tjetër futbollisti nga Amerika Latine pritet që ta zëvendësojë te Liverpulli. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin Andre Trindade, që luan me Fluminese në kampionatin brazilian.
Sipas mediave britanike, trajneri Jurgen Klopp ka ndjekur nga afër lojtarin dhe ka dhënë miratimin e tij për këtë transferim, që do t’i kushtojë “The Reds” 35-40 milionë euro. Këto para do të vijnë pikërisht nga shitja e Fabinjos, që shkoi te arabët e “Al-Ittihad” për 45 milionë euro.
Trindade do të mbushë boshllëkun e krijuar nga largimi i Fabinjo, një mesfushor që konsiderohet i fortë fizikisht. Mjaft i aftë në fazën mbrojtëse, por edhe në ndërtimin e lojës. Klop e konsideron një lojtar të kompletuar dhe gati për të debutuar me ekipin e tij.
Trindade ka debutuar edhe me kombëtaren e Brazilit në miqësoren ndaj Senegal në qershor, ndërkohë që ka luajtur 145 ndeshje me Fluminese.