Mbi ndërtime, jashtë ndërtime, shtëpi pa legalizim dhe objekte afariste ndërtohen në tërë Tetovën pa leje për ndërtim të pronës private, por edhe shtetërore. Ndërtimet pa leje po e shkatërrojnë dhe e shpërfytyrojnë rajonin e Tetovës dhe autoritetet kanë bërë shumë pak vite me radhë, thonë tetovarët më të vjetër, të cilët nuk mund ta njohin më qytetin nën Sharr.
Urbanizimi i keq e ka mbytur qytetin, nuk ka qarkullim ajri. Në verë ferr në dimër ndotje e madhe e ajrit. I gjithë qyteti është i betonuar dhe i asfaltuar dhe dyshojmë se ato objekte për të cilat janë lëshuar lejet janë të ligjshme, thonë qytetarët.
Nga inspektorati komunal thonë se ekipet e tyre janë në terren, ndërsa së fundmi pohojnë se ndërtimet pa leje të objekteve kanë rënë. Si problem ata përmendin ankesat në komisionin e dytë qeveritar, të cilat pronarët e objekteve pa leje po i bëjnë gjithnjë e më shpesh.
Sipas Inspektoratit, në Kodrën e Diellit nuk ka më ndërtime të objekteve pa leje, pas disa aksioneve të tyre për prishjen e ndërtimeve pa leje në vendbanimin e vikendit të qendrës turistike.