Ndërsa Sllovenia ende po përballet me pasojat dhe dëmet e shkaktuara nga reshjet e fundit, meteorologët atje paralajmërojnë një stuhi të re. Vendi po përballet me rrezik të shtuar të rrëshqitjes së dheut. Janë evakuuar banorët përgjatë lumenjve problematikë.
Autoritetet parashikojnë ulje graduale të nivelit në shumicën e lumenjve, përveç të Savës, Dravës dhe Murës. Ndërkohë shumë rrugë vazhdojnë të jenë të mbyllura. Për shkak të infrastrukturës së shkatërruar, disa pjesë të Sllovenisë ende nuk kanë energji elektrike. Kryeministri slloven ditë më pare tha se vendi po përballet me fatkeqësinë më të rëndë natyrore në historinë dhe se dëmi mund të arrijë në më shumë se gjysmë miliardë euro.