Ish nënkryetari i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, sot edhe zyrtarisht prezantoi partinë e tij të re, e cila do të quhet  Partia Demokratike Evropiane.

Hoxha tha se kjo parti do të përfaqësohet edhe në Kuvend me një deputet, pasi edhe deputeti Bastri Bajrami i është bashkangjitur Arjanit Hoxhës në këtë rrugëtim.

“Para ne është sfida e ndryshimeve kushtetuese të cilat në do duam që të kalojnë ngasqe e hapin derën për integrim në BE. Në rast të skenarit që këto të mos kalojnë ndryshimet kushtetuese shteti me të vërtet hyn në një rrezikshmëri të humbjes të një procesi shumë vjeçar që është ndërtuar me shumë mund, dhe normalisht atëherë do të ketë shumë skenare dhe ne normalisht nuk do të pozicionohemi aspak me politikanë dhe struktura politike të cilat duan izolojnë vendin dhe nuk e mendojnë të mirën dhe të ardhmen e qytetarëve”, ka thënë Hoxha.

Ja fjalimi i tij:

Të nderuar të pranishëm,
Të dashur themelues të Partisë Demokratike Evropiane,
Miq dhe dashamirë,
Më lejoni që me përulësinë më të madhe t’ju falënderoj për besimin që më keni dhënë të gjithë ju, që ndër vite bashkërisht kemi rrugëtuar duke mos kalkuluar rreziqet, rëniet por edhe duke gëzuar fitoret dhe sukseset.
Sot, të gjithë ne fillojmë një rrugëtim të ri politik. Ashtu si çdo rrugëtim edhe në të kaluarën edhe ky nuk është i lehtë, por duke qenë të bashkuar dhe të përkushtuar në qëllimin tonë fisnik për të punuar dhe vepruar në të mirën e qytetarëve, jam i bindur se ky do jetë rrugëtimi më i suksesshëm i joni.
Pa dashur të rikthehem në tashmë të kaluarën tonë politike, edhe pse nuk kemi dashur që të marrim veprime politike të këtij lloji, por për fat të keq na u imponuan situata të tilla kur dikush mundohej të na shesë anti-vlerën për vlerë, anarkinë për demokraci dhe nënçmimin për sukses. Andaj, ne vendosëm që guximshëm, drejt, të pa lëkundur mos të lejojmë që vlerat tona politike të përzihen në koshin e anti-vlerave që po bashkohen në emër të opozitës ndërsa synim kryesor kanë pushtetin e improvizuar nga ata të cilët janë totalisht të izoluar dhe që duan të dëmtojnë ardhmërinë e qytetarëve të këtij shteti.
Ne sot po hapim një kapitull të ri, një hap të rëndësishëm që jam i bindur se historia do ta vlerësojë si hapin e duhur në momentin e duhur. Jo rastësisht edhe dita e themelimit të partisë sonë lidhet pikërisht me 111 vjetorin e çlirimit të Shkupit në krye me Hasan Prishtinën bashkë me shokët e tij. Ashtu si 12 Gushti i vitit 1912 ku beteja ishte për orientimin e drejtë të shqiptarëve në vlerat evropiane, të atij civilizimi që burimin e vet e ka nga ne shqiptarët.
Edhe sot kur mes nesh ekzistojnë kufi administrativ, synimi dhe qëllimi jonë i përbashkët si popull në të gjitha shtetet që veprojmë është bashkangjitja në familjen e madhe evropiane, si një alternativë e vetme që garanton paqen, stabilitetin, mirëqenien ekonomike dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe të barazisë së plotë.
Sot, si asnjëherë më parë e ardhmja evropiane e vendit është veprimi më i lartë patriotik që duhet të ndërmarrim ne, qoftë si politikanë apo qytetarë duke mos lejuar që fati jonë, i fëmijëve tanë edhe i gjeneratave që do të vijnë pas, të jetë në duart e atyre që duan të izolojnë shtetin dhe të thyejnë ëndrrën evropiane.
Dalja jonë në skenë pavarësisht polemikave të krijuara do paraqesë një model të partive politike që marrin dhe bartin përgjegjësi mbi vete. Edhe pse në perspektivën e tanishme kohore mund të duket shumë absurde kjo që e themi sot, por në një të ardhme shumë të afërt do vërtetohet se jemi në rrugën e drejtë, rrugë kjo që do jetë plotësisht në shërbim të qytetarëve të vendit.
Angazhimi ynë politik dhe ndërtimi i politikës partiake nuk do të bazohet në urrejtje dhe mllef, siç po bëjnë disa parti për momentin, por do të bazohet në koncept dhe ide, në kreativitet dhe ofertë politike që do jetë në shërbim dhe të mirë të qytetarëve të vendit.
Do angazhohemi për reflektim të realitetit shoqëror në të gjitha sferat qofshin ato të karakterit publik apo privat.
Do punojmë që Maqedoninë e Veriut ta shndërrojmë në një cak investiv, ku diasporës sonë do t’i jepet qasje e privilegjuar për të investuar në vendlindje dhe me kthimin e kapitalit financiar aty të tentojmë edhe kthimin e kapitalit njerëzor ose në variantin më të keq të parandalojmë ikjen e të rinjve nga vendlinja.
Do jemi të zëshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, deri në imponimin e reformave në sistemin gjyqësor përmes një vettingu me mbikqyrje ndërkombëtare për të reformuar hallkën e fundit të trashëgimisë jugosllave, pra sistemin gjyqësor.
Ndjekja e trendeve bashkëkohore në të gjitha sferat duke i dhënë prioritet digjitalizimit dhe shërbimeve online përmes të cilave do evitohen mundësitë e korrupsionit administrativ që ngulfat funksionimin profesional të administratës publike.
Jemi një frymë e re, me ide të qarta, duke u bazuar në orientimin tonë pro perëndimor dhe duke synuar aplikimin e praktikave më të mira evropiane në vendin tonë.
Do jetë vështirë, do jetë betejë gjeneratash, konceptesh dhe qasjesh, por ne jemi të bindur që jemi gjenerata e ndryshimeve dhe ne do t’ia dalim.
Uroj që kjo nismë të jetë e bekuar dhe të na shërbejë si orientim në gjithë rrugëtimin tonë.
Ne jemi Demokratët e vërtetë Evropian.
Na priftë e mbara!
Ju faleminderit!
12.08.2023 -Shkup