Skuadra e Milanit fitoi miqësoren e fundit përpara nisjes së sezonit të ri në Serie A. Skuadra e Stefano Piolit u përball me Novarën, skuadër që garon në divizionin e tretë të futbollit italian.

4-2 fituan kuqezinjtë këtë takim, që u zhbllokua nga Samuel Çukueze. Nigeriani mori një top nga Noah Okafor në minutën e nëntë, dribloi portierin dhe gjeti golin e parë me ekipin e ri. Më pas ishte radha e zviceranit për të festuar realizimin e parë me Milanin. Okafor dërgoi rezultatin në 2-0. Nikolo Korti rihapi takimin pas gjysmë ore lojës.

Në fraksionin e dytë të takimit, “pokeri” i Milanit u kompletua nga golat e Davide Kalabria-s dhe Lorenzo Kolombos, ndërkohë që Luka Prinelli shënoi të dytin për Novarën. Milani luan takimin e parë të kampionatit në transfertë, përballë Bolonja-s, sfidë e programuar për datën 21 gusht, ora 20:45.