
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka përsëritur se nuk mund të ketë përmirësim të marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve në Afganistan, nëse nuk avancohet trajtimi i grave.
Duke folur para gazetarëve më 15 gusht, në përvjetorin e dytë të kthimit të talibanëve në pushtet, Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë për t’i mbajtur talibanët përgjegjës për zotimet që i kanë dhënë, sidomos kur është fjala për të drejtat e vajzave dhe grave, shkruan REL.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me talibanët – edhe dhjetëra shtete tjera në botë kanë qenë shumë të qarta – që rruga për marrëdhënie normale me talibanët, do të bllokohet nëse të drejtat e grave dhe vajzave nuk respektohen”, ka thënë Blinken.
Deri më tani Qeverinë e drejtuar nga talibanët në Afganistan nuk e ka njohur asnjë shtet në botë.