Sipërmarrësi rus Pavel Durov prezantoi për herë të parë në botë aplikacionin Telegram 10 vjet më parë, i cili festoi përvjetorin e tij me 800 milionë përdorues aktivë.
Ky aplikacion është përdorur nga mesatarisht 54.3 milionë njerëz në baza ditore në muajin korrik, që për herë të parë ka arritur të kalojë rrjetin social rus “Vkontakte”, themeluesi i të cilit është edhe Durov, transmeton Kommersant.
Rritja e numrit të përdoruesve të këtij aplikacioni është ndikuar ndjeshëm nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, pasi Telegram është përdorur nga 27.5 milionë përdorues në ditë në shkurt 2022, dhe 40.6 milionë njerëz në muajin pasardhës.
Telegram fitoi 100 milionë përdorues aktivë dy vjet e gjysmë pas fillimit të tij dhe njerëzit shpesh kalonin në këtë platformë për shkak të bllokimit të aksesit në aplikacionet konkurruese si Viber ose Instagram.

Pasi Twitter ndaloi hyrjen e ish-presidentit amerikan Donald Trump në platformë në vitin 2021, numri i përdoruesve të Telegram u rrit me 25 milionë njerëz në tre ditë.
Telegrami u bllokua në Rusi nga prilli 2018 deri në qershor 2020 sepse refuzoi t’i jepte Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) qasje në informacionin e koduar në aplikacion.
Pavarësisht ndalimeve në Rusi dhe disa vende të tjera, Telegram u shkarkua nga 310 milionë njerëz në vitin 2022, duke e bërë atë aplikacionin e gjashtë më të shkarkuar.

Vitin e kaluar, numri më i madh i shkarkimeve të reja të “Telegram” u regjistruan në Indi – 104 milionë, Rusi – 34,4 milionë, Indonezi – 27,2 milionë, por edhe në SHBA – 26,9 milionë.
Në maj 2015, Google mendoi të blinte Telegram, duke e vlerësuar atë në 1 miliard dollarë në atë kohë.
Në vitin 2021, banka ruse e investimeve VTB Capital vlerësoi se vlera e Telegram, tani me seli në Dubai, mund të arrijë deri në 124 miliardë dollarë.