Forcat izraelite vranë tre persona, duke përfshirë dy adoleshentë, në Bregun Perëndimor mëngjesin e ditës së sotme, sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA.

Sipas asaj që shkruan Sky News ata qëlluan në kokë një 14-vjeçar në një kamp refugjatësh në jug të Betlehemit dhe një 16-vjeçar vdiq pasi u qëllua në qytetin Tulkarm, tha agjencia e lajmeve.

Forcat e armatosura izraelite gjithashtu sulmuan fshatin Budrus, në perëndim të Ramallah, dhe qëlluan për vdekje një të ri, Gebriel Awad, ndërsa plagosën një tjetër, tha WAFA. Bëhet e ditur se për këtë nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli.

Në shifrat zyrtare të publikuara para të shtënave, ministria palestineze e Shëndetësisë tha se 61 njerëz ishin vrarë në Bregun Perëndimor që nga 7 Tetori, kur Hamasi sulmoi Izraelin.

Protestat u zhvilluan në të gjithë territorin dje pas një shpërthimi në spitalin al Ahli në Gaza, për të cilin zyrtarët lokalë thanë se vrau 471 njerëz, megjithëse Izraeli konteston numrin e të vdekurve./tvklan.al