Trajneri i Romës, Jose Mourinho është ndër kandidatët për të zëvendësuar Carlo Ancelottin në Real Madrid në vitin 2024, por klubi mbretëror tani ka rivalë klubet nga Superliga e Arabisë Saudite.

Marrëveshja aktuale e Mourinhos në Stadio Olimpico përfundon në qershor dhe Sky Sport Italia ka raportuar së fundmi se portugezi nuk do ta zgjasë qëndrimin e tij në klubin italian.

Sipas Mundo Deportivo, Mourinho është ndër kandidatët e Real Madridit për të zëvendësuar Ancelottin sezonin e ardhshëm, me italianin që pritet ta marrë drejtimin e Brazilit pasi t’i skadoj kontrata me Los Blancos.

Mourinho tashmë ka qenë trajner i Real Madridit nga viti 2010 deri në vitin 2013, duke fituar 127 nga 178 ndeshjet e tij në krye të gjigantëve të La Ligës.

Megjithatë, ‘rrëmbimi’ i trajnerit portugezi nuk do të jetë i lehtë pasi atij edhe klubet saudite gjithashtu i kanë vënë sytë.

Sipas Il Corriere dello Sport, Al-Ahli dhe Al-Ittihad janë të gatshëm t’i ofrojnë 50 milionë euro në sezon trajnerit portugez për të siguruar shërbimet e tij nga qershori 2024.