Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në datën 24.10.2023, ditë e Martë, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të personit nën hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 te K.Pr.Penale.
Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-klubit Partizani. Sipas SPAK Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka shfrytëzuar postin e tij që prona të merret në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Ky i fundit rezulton si një nga trashëgimtarët e familjes Begeja, njërës prej familjeve pronare të tokës.
Ndaj Malltezit po zhvillohet në GJKKO seanca gjyqësore së bashku me ortakun e tij në ndërtim Fatmir Bektashi.
Malltezi dhe Bektashi ndërtuan një kompleks pallatesh tek ish-klubi Partizani. Ky truall që nga periudha komuniste u shtetëzua dhe u bë pronë e ushtrisë (Forcave të Armatosura).
Privatizimi ish-klubi Partizani është një çështje që hetohet nga SPAK prej vitit 2020, kur u bë kallëzim penal nga deputeti socialist Taulant Balla.