Shqipëria shënoi një fitore historike përballë Çekisë në “Air Albania”, duke siguruar trepikëshin që e mban Kombëtaren tonë në krye të grupit E.

 

Kuqezinjtë goditën rrjetën që në minutat e para të lojës me Jasir Asanin, i cili është kthyer në njeriun e momentit për Kombëtaren, pasi në gjashtë ndeshje të luajtura, ka shënuar tre gola spektakolarë.

 

Çdo gjë u bë më e lehtë për Shqipërinë kur gjyqtari ndëshkoi me karton të kuq Çutil dhe Çekia ngeli me 10 lojtarë në fushë.

 

Në pjesën e dytë të lojës Kuqezinjtë u kthyen në fushë të karikuar për të vulosur një fitore që do të mbahet mend gjatë me Seferin që realizoi një dopietë të përsosur.

 

Në momentin e 82 Shqipëria në top formë shënoi edhe golin e katërt, por festa u prish nga sistemi VAR.

 

Me këtë sukses djemtë e Sylvinhos ngjiten me 13 pikë në krye të grupit dhe janë me një këmbë në europianin “Gjermani 2024”.

 

Çekia doli kokëulur nga fusha e blertë, ndërsa në stadium shpërtheu festa e Kuqezinjve.

 

Festë pati edhe në dhomat e zhveshjes.

 

Rrugët e Tiranës u mbushën nga tifozë të çmendur, që festuan deri në agim me këngë patriotike, ndërsa boritë e makinave “zgjuan” kryeqytetin.