
Një tjetër hall te Barcelona dhe ai eshte Zhoao Feliks që u duk sikur kishte marrë një dëmtim të rëndë në sfiden ndaj Shakhtar Donjetskut, por vetë futbollisti portugez ka sqaruar se nuk është asgjë serioze dhe se do të jetë gati për “El Clasicon” ndaj Real Madrid.
Pavarësisht raporteve të mëparshme që sugjeronin se rikuperimi i Robert Levandovskit po përparon siç ishte planifikuar, sulmuesi 35-vjeçar ende po garon me kohën për të qenë i aftë për “El Clasico”, sipas Fernando Polo i “Mundo Deportivo”.
Levandovski, kapiteni i kombëtares së Polonisë, pësoi një ndrydhje në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Porto-s. Raporti nga “Mundo Deportivo” tregon se Levandoëski mund të konsiderojë përdorimin e një injeksioni qetësues për të lehtësuar përkohësisht shqetësimin në zonën e prekur.
Vlen të përmendet se disa lojtarë të tjerë kyç, duke përfshirë Pedri, Frenki de Jong, Rafinja, Zhull Kounde dhe Serhi Roberto, gjithashtu po merren me lëndime dhe janë dyshime për ndeshjen intriguese të së shtunës. Pedri ka qenë jashtë fushës për shkak të një dëmtimi muskulor që nga fundi i gushtit dhe rikuperimi i tij ka zgjatur më shumë se sa pritej. Lëndimi i kyçit të këmbës së De Jong-ut është më kompleks në krahasim me atë të Levandovskit dhe holandezi është e kuptueshme që po merr një qasje të kujdesshme, veçanërisht sepse ai vazhdon të përjetojë dhimbje. Megjithatë, ai nuk është përjashtuar përfundimisht për përballjen kundër lojtarëve të Karlo Ançelotit.