Të paktën 16 persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur në Luiston, Mein, të Shteteve të Bashkuara si pasojë e të shtënave masive në një bar dhe një rrugicë boulingu. Numri i viktimave mund të rritet. Autori i sulmit është një instruktor armësh i trajnuar nga ushtria. Autori është ende në kërkim nga autoritetet. Departamenti i sigurisë ka njoftuar se autori i masakrës Robert Kard, konsiderohet person i rrezikshëm.
“Ne kemi qindra oficerë policor që po punojnë rreth shtetit të Mein. Ne do të vazhdojmë të punojmë në kapjen dhe sjelljen përpara drejtësisë të të dyshuarit”, deklaroi Mike Sauschuck, Departamenti i Sigurisë Publike, Mein.
Gjatë momenteve të të shtënave, një dëshmitar ka arritur të fshihet mbi makinerinë e boulingut. Ai ka përshkruar skenën e trishtë.
“Ne ishim brenda. Një natë normale në bouling dhe ai hyri brenda dhe kishte një zhurmë. Mendova se ishte tullumbace. Ai mbante një armë në dorë. Nuk di si ta shpjegojë. Nuk supozohet që kjo të ndodh në jetën reale”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, bisedoi në telefon me guvernatoren e Mein, Janet Mills, si dhe me anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, duke iu ofruar atyre “mbështetje të plotë federale pas këtij sulmi të tmerrshëm”, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Në Mein nuk kërkohet leje për armëmbajtje dhe ky shtet e ka një kulturë të moçme të armëmbajtjes që ndërlidhet me traditat e tij për gjueti dhe për qitje sportive. /Alsat.mk