GJKKO miratoi sot masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai akuzohet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre pasi dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.
Berishës i është përcaktuar masa e “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim daljeje jashtë shtetit”. Gjykata gjithashtu vendosi orën dhe ditën se kur ish-kryeministri do të duhet të paraqitet personalisht në policinë gjyqësore.
Të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në orën 10:00, Sali Berisha do të jetë përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sakaq, Berishës i është caktuar një avokate tjetër kryesisht, pasi dy avokatet e sotme hoqën dorë nga mbrojtja. Kreu i Rithemelimit do të përfaqësohet nga avokatja Valentina Teodoresku.