Gara e radhës në Formula 1 është në Meksikë, këtë fundjavë, në shtëpinë e Serhio Perezit, një prej dy pilotëve të Red Bull.

“Atmosfera në Meksikë është gjithnjë fantastike, ashtu sikur makinat kalojnë në zonën e “foro sol”, thuhet në komentin e “Red Bull”-it, pas mbërritjes në Meksikë.

Gjithsesi, situata jo fort e mirë e pilotit meksikan, që rrezikon edhe vendin te “Red Bull” dhe disa fërkime gjatë muajve të fundit me Maks Verstapenin, kanë bërë që holandezi të mos jetë komod në këtë garë. Organizatorët e garës kanë nisur një fushatë “fair play” për këtë garë, për të evituar vërshëllima ndaj Verstapenit.

Për të evituar çdo surprizë të pakëndshme, organizatorët dhe “Red Bull” kanë vendosur që Verstapen të shoqërohet gjatë fundjavës nga dy truproja. Ata do të evitojnë që tifoja e zjarrtë ndaj Perez të ndikojë fizikisht te 3 herë kampioni i botës, që do të jetë më i mbrojtur gjatë tri ditëve në vijim.