Pasi para disa ditëve njoftoi se fundi i nëntorit është afati deri kur Byroja për Zhvillim të Arsimit (BZHA) duhet t’i përgatisë programet mësimore për klasën e shtatë në bazë të Konceptit të ri, që të mos ketë vonesa me përgatitjen e librave për nxënësit e klasave të shtata në vitin e ardhshëm shkollor, ministri Jeton Shaqiri sot deklaroi se nëse nuk respektohet afati, do të kërkojë përgjegjësi.

“Këtë vit shkollor dhashë afat përfundimtar – në fund të nëntorit. Nëse programet nuk arrijnë deri atëherë, do të kërkoj përgjegjësi”, deklaroi Shaqiri, duke shtuar se me këtë afat do të ketë periudhë prej tetë muajve për përgatitje dhe botim, për korrigjim dhe revizion të të gjitha librave.

Në lidhje me dërgesën e librave për klasën e gjashtë, e cila u vonua për shkak të asaj që vonë ishin të gatshme programet mësimore (mars i këtij viti), Shaqiri deklaroi se ajo këto ditë ka përfunduar në pjesën më të madhe të shkollave fillore në Shkup dhe në qytetet e tjera.

“Nëse në ndonjë shkollë nuk ka ende, do të kërkoj nga shërbimet e mia dhe nga Shërbimi Pedagogjik që sot të analizojnë ku nuk ka, edhe pse nuk flasim për një pjesë të madhe të shkollave. Të gjitha librat e miratuara nga Komisioni Kombëtar për Libra janë botuar dhe janë në dorëzim”, tha Shaqiri, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në hapjen e Panairit për studime në Francë.

Pret që proceset të cilat varen nga BZHA do të jenë me kohë sepse Byroja ka drejtor të ri.

“Në Byro kemi drejtor të ri, nuk është ai që ishte vitin e kaluar shkollor. Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit shkollor nuk kishte vonesa të dëftesave, ndërsa edhe programet mësimore për klasën e tretë ishin dorëzuar me kohë dhe librat nuk u vonuan”, shtoi ministri i Arsimit dhe Shkencës.