Redaksia Flaka me shqetësim po ndjek nxitjen e urrejtjes ndaj mediave dhe gazetarëve nga eksponentë të partive politike. Postimi i fundit nga përfaqësuesi i Lëvizjes Besa, Adnan Azizi në rrjetet sociale, ka nxjerr në sipërfaqe atakun ndaj fjalës dhe mendimit të lirë nga media, gazetarët dhe analistët politik.

Është e pajustifikueshme për një shtet dhe shoqëri demokratike, flakja e medias për motive politike, aq më tepër kur i njejtë person [Adnan Azizi] shpeshherë ka akzuzuar publikisht media të caktuara për politikën redaktuese dhe gazetarë e analistë politik për bindjet e tyre individuale.

Redaksia Flaka solidarizohet me Tv Klan dhe kolektët e atakuar me një fjalor të ulët politik dhe aspak të përshtatshëm ndaj medias dhe fjalës së lirë.

Veprimi i tillë nga Adnan Azizi, cënon rëndë fjalën e lirë dhe ndërhynë drejtpërdrejt në pavarësinë e medias. Etiketimet ndaj Tv Klan Macedonia si dhe gazetarëve nga Kosova e Shqipëria, flet qartë mbi mentalitetin e vjetëruar politik nga sistemi i njëmendësisë, ku media dhe gazetarët është dashur të raportojnë konform urdhërave që vinin nga komitetit, dhe kush shprehte mendim ndryshe ndëshkoheshte për padëgjueshmëri.

Një qasje e tillë destruktive, flet qartë për përjashtimin e mendimit ndryshe nga ajo që ndajnë një grup njerëzish të caktuar të grumbulluar rreth një grupi interesi, në këtë rast në subjekt politik.

Të shqetësuar thellë nga ky atak arbitrar ndaj medias, ftojmë Shoqatat e Gazetarëve, Institutet e mediave dhe Këshilltat Etike në Media nga vendi dhe rajoni – Kosova e Shqipëria, të dënojnë këtë sulm të drejtpërdrejt ndaj medias nga eksponentë të politikës ditore.