TetovaSot si portali më i lexuar në gjuhën shqipe në RMV, dënon gjuhën e urrejtjes ndaj mediave veçanërisht KLAN-M nga Adnan Azizi si eksponentë i lartë i koalicionit VLEN, që reflekton edhe në acarimin e tensioneve në prag të zgjedhjeve të dyfishta Presidenciale dhe ato Parlamentare.
Ky reagim ndërlidhet me një deklaratë skandaloze të njërit prej drejtuesve të lartë të Lëvizjes BESA dhe VLEN, Adnan Azizi ku shënjestër ka televizionin shqiptar siç është Klan M.
Azizi nga VLEN në vend që të merret me atë se çfarë programi ofron për qytetarët VLEN ai atakon një medium dhe gazetarët e një emisioni debativ ku nuk kanë munguar si të ftuar edhe drejtuesit më të lartë të VLEN gjë që është në kundërshtim dhe pengon punën e mediave si një pushtet i fuqishëm.
Roli i mediave në një shtet demokratik është shumë i rëndësishëm dhe thelbësorë në ndërkohë që deklarata e Adnan Azizit përbën një sulm mbi lirinë e fjalës dhe mendimit të lirë që është i dënueshme edhe në aspektin ligjor edhe atë etik.
Ai madje i jep një dimension tjetër reagimit të tij kur implikon Kosovën dhe Shqipërinë.
“Keni mbledhur mediat, gazetarët dhe analistët më të padëshiruar në mbarë shqiptarinë, tek të cilët derdhni shuma milionëshe, për të larë mendjen e qytetarëve. Por keni bërë gabim shumë të madh, sepse keni dështuar që në fillim. Ju po mundoheni të fitoni me ata të cilët, po paguhen vazhdimisht nga kundërshtarët politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes” – thuhet në postimin në Facebook të Adnan Azizit të Besës.
TetovaSot dhe TS dënon këtë gjuhë të ashpër të Adnan Azizit kreut nën hije të Lëvizjes BESA që nuk është vetëm një sulm vetëm mbi një emision debativ siç është ai “Debat Plus” të Ermal Pandurit, por është edhe një qëllim i errët i tij mbi krejt punën e mediave tjera që nuk i përshtaten eksponentit të lartë Lëvizjes BESA dhe VLEN-it.
Adnan Azizi nuk mund të ushtrojë ndikim se si duhet të punojnë mediumet shqiptare në RMV dhe cilët gazetarë dhe opinionistë duhet të jenë të ftuar në debate të ndryshme dhe jo vetëm.
Me deklratat e Adnan Azizi ndaj mediave dhe gazetarëve shqiptar tregon haptazi se çfarë fati mund të kenë mediat me politikanë të këtij niveli nëse vijnë në pushtet.
Andaj TetovaSot dhe TS duke u solidarizuar me KLAN-M dhe gazetarët shqiptar, Blendi Fevziun, Ermal Pandurin, Berat Buzhalën, Adratik Kelmendin dhe të tjereët kërkon që koalicioni VLEN të distancohet nga kjo gjuhë e urrejtes ndaj mediave shqiptare të Adnan Azizit.