3 Maji është caktuar si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Në Indeksin e fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit hartuar nga “Reporterët pa Kufij” , vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.

“Një numër shtetesh dhe autoritetesh politike në rritje nuk po e pëmbushin rolin e tyre si garant të mjedisit më të mirë të mundshëm për gazetarët si edhe të së drejtës së opinionit publik për të marrë informacion të besueshëm, të pavarur dhe të larmishëm. Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ vëren një rënie shqetësuese të mbështetjes dhe respektimit të pavarësisë së media dhe rritje të trysnisë nga shteti ose aktorë të tjerë politikë”, thuhet në Indeksin e bërë publik në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Indeksi e klasifikon nivelin e shtypit si “të mirë”, “të kënaqshëm”, “problematik”, “të vështirë” ose “shumë të rrezikshëm”.

Liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim duke u renditur e 36-ta.

Serbia është radhitur e 98-ta, renditja e saj më e keqe në 22 vitet e fundit, që kur “Reporterët Pa Kufij” nisën publikimin e Indeksit Botëror mbi Lirinë e Shtypit.

“Gazetaria cilësore dhe fituese e çmimeve, e cila investigon krimin dhe korrupsionin, ndodhet e kapur mes lajmeve të rreme jashtë çdo kontrolli dhe propagandës. Ndonëse korniza ligjore është e fortë, gazetarët kërcënohen nga trysnitë politike dhe mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj tyre”, thuhet në raport.