Rrjeti social i Facebookut dhe portalet, sot janë tronditur nga lajmi për vdekjen e papritur në mëngjesin e hershëm të poetes së njohur nga Shkupi, Lindita Ahmeti.

Lindita, ose “poetja e tri qyteteve”, siç e kanë quajtur (e Tetovës, të origjinës së babait, e Prizrenit, qytetit të lindjes dhe të origjinës nënës dhe Shkupit, qytetit ku ka jetuar e krijuar), rrjedh nga një familje me vokacion krijues: babai Xhabir Ahmeti, shkrimtar dhe i vëllai, Luran Ahmeti, gjë që talenti krijues i Linditës, siç ka shkruar portali arsalbanica, “ishte si diçka e lindur, gjenetike”.

Lindita Ahmeti u lind më 26 prill 1973 në qytetin e Prizrenit, por që jetën e ka kaluar në trekëndëshin e qyteteve të përmendura, dhe ky është një shtegtim jetësor që i ka dhënë një frymëzimin të përjetshëm edhe krijimtarisë së saj letrare. Ka kryer Fakultetin Filologjik në Universitetin “Qirili e Metodi” në Shkup dhe viteve të fundit ka qenë e angazhuar në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Përveç përmbledhjes së sipërpërmendur, Mjedra dhe bluz(1993), ka botuar ndër vite edhe këto vepra 1996: “Ishulli Adular”; 2000: “Brezi dhe Zonjës”; 2004: “Vetë perballë Erosit”; 2008: “Lulja alba” (përzgjedhje); 2015 “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim”; 2015: “Dhoma pa derën dalëse”. Në gjuhën maqedonase i janë përkthyer veprat si vijon: 1998: “Камена месечина” (“Hëna e gurtë”); 2002: “Син сон” (“Ëndërr e kaltër”); 2007: “Призивање во април” (“Grishja në prill”); 2011: “Утрешните монети” (“Monedhat e nesërme”). Ka botuar një përmbledhje edhe në gjuhën bullgare, “Пролетен копнеж”(2008), ndërkaq poezitë e saj janë përkthyer edhe në revista letrare në gjuhën angleze, serbe, boshnjake dhe polake dhe është përfshirë në shumë antologji dhe panorama në gjuhë të ndryshme, së fundmi edhe në Antologjinë e poezisë shqipe në Maqedoni.
Duke pasur tiparet e një personi me aftësi të veçanta por me intelektin e rrallë, poezia e saj paeviteushëm do t’i përmbante ndjeshmërinë e thellë dhe ekspresivitetin, pa të cilat zor se mund të paramendohet krijimtaria. Poezia e saj është si gurgullimë e përrenjve të pastër që burojnë nga thellësia e tokës, e ka atë zhurmërimë ku gërshetohen motivet që janë thellë të lidhur me token, historinë, mitet e deri te përjetimet individuale, si një refleks i natyrshëm.
Përveç mirënjohjeve të shumta në manifestime të ndryshme letrare , ajo para dy vitesh mori edhe mirënjohjen më të lartë shtetërore “11 Tetori”, për kontributin e saj tridhjetëvjeçar si krijuese në fushën e kulturës dhe Artit, e cila me poezitë e saj tërhoqi vëmendjen e lexuesve me botimet e para në fillim të viteve 90-të dhe librin e saj të parë, ”Mjedra dhe bluz”, duke sjellë një sensitivitet të ri në poezinë shqipe të këtij krahu.
Më poshtë, në kujtim të poetes, japim tri poezi, të cilat Lindita ia ka kushtuar vëllait të saj të ndjerë, i cili vdiq gjatë pandemisë së koronavirusit.
Tri poezi kushtuar vëllait
1.ELEGJI PËR VËLLAIN
Jam mbështjellë me natë
Edhe shtëpia ime me heshtje
I panjohuri ecën dhe kruan kryet
Në dritë të hënës
E di vëlla
Edhe ai të mendon
E di të ka njohur edhe ai
Me mijëra e mijëra vetë të kanë njohur
Po askush s’e di
Si je ballafaquar ti me panin për mua
Me britmën e tij
Midis pyllit të dendur e territ
Vetëm ti dije të gjesh dritë edhe nga atje
E të ma sjellësh mua
Vëllai im o vëlla
E t’i hapje shtigjet e lumturisë
Vëllai im o vëlla
Në çastet kur të prisja të vish me lule
Tri javë
Sa tre shekuj
Sepse i dija mundësitë tua homerike
Në vend të dorës tënde me tufën me lule
Erdhi e enjtja dita e shenjtë
Erdhi pa dritë
Me një mal melankolie
Dhe me rrufenë e të parit të dymbëdhjetëshes
U fik dita jonë
Ti u bëre Faetoni vetë
E unë heliadë
Vëllai im o vëlla
Vetëm ti në atë çast më ke shikuar drejt në sy
I shkëmbenim lotët e pikëllimit si shtatë mështeknat
I mbushnim liqenet e Lurës me kokrra qelibari
E nëpër gjëmë në trungun e thatë në breg të liqenit
Me emrin tënd
Trokiste një dorë e ftohtë
Vëllai im o vëlla
Po as kjo rrufe lemerie nuk do ta prishë kurrë
Atë raport hyjnor që kemi
Vëlla e motër
Atë butësi e ngrohtësi të përcjellë me fjalë të zëshme
Se ne fjalën e kemi vegël të artë pune
Vëllai im o vëlla
E heq tash fuqishëm mbështjellcën prej nate
Sepse neve na lidh drita
E ndërpres heshtjen në shtëpi
I qasem fjalës
Sepse neve na lidh fjala
Fjala e shenjë e përjetësisë
Vëllai im o vëlla
2.PIKLLIM E SHNDRRIM
(Luran Ahmeti, 31.7.1974 – )
jam nën hijen e flamurit të zi
pa andrrën e kapërcimit të detit të mjerimit
e zeza unë pa ty
gishtat e mi mbi barin e njomë
po depërtojnë thellë nëpër shtresat e geas
bahen rranjë
nën ujnat e liqeneve me emnin tand
e zeza unë pa ty
me barrën e padurushme të qetsisë vrastare
me të tashmen që nuk asht ma
e zeza unë pa ty
nji bar tamli jam ba
me gjethet e djeguna të lumnisë
e zeza unë pa ty
në ankthin që m’ka zanë e nuk lshon
një zambak i Lurës
po e ruen bardhsinë
e po kallxon se jemi nji
e zezë motra pa vlla
3.LETËR VËLLAIT
(Me rastin e ditëlindjes)
Asgjë të re s’ka o vēlla
Gjërat janë të vjetra
Edhe të tjerat
Pemëve u bie sëmundja
Si gjithmonë
Kullës i bie gëlqerja
Si e di
Motër e jozefit u kthye
Në degë të manaferrës
E njejta punë
Vetëm unë jam tjetër
Vetëm unë ta dëgjoj zërin
(Shënim: Vëllai i Lindita Ahmetit, aktori Luran Ahmeti, ishte aktor i Dramës Shqiptare të Shkupit, i cili bëri edhe karrierë ndërkombëtare, duke u shquar veçanërisht me role në disa seriale turke. Lindi më 31 korrik 1974 dhe ndërroi jetë më 25 mars 2021, si viktimë e virusit vdekjeprurës Kovid 19.)