Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shënuar këto ditë 5-vjetorin e themelimit përmes disa aktiviteteve, që kanë nisur në Tiranë, po vazhdojnë në Prishtinë dhe më pas edhe në Shkup.
Lazim Desanti si anëtar i Bordit të Nderit i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) tha se ky organizim ka rol të rëndësishëm në shërbim të politikës së jashtme kombëtare dhe të integrimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në këtë vit jubilar në Tiranë u mblodhën drejtues të KASH-it nga Shqipëria e Kosova, përfaqësues të Trupit Diplomatik, përfaqësues dhe anëtarë nga diaspora, si dhe grupi përfaqësues i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë.
Destani në këtë ceremoni ka takuar shumë bashkatdhetarë, anëtarë të KASH-it, personalitete nga diaspora dhe diplomatë, transmeton Zeri.info.
“Gjatë kësaj ceremonie pata kënaqësinë të takohem me shumë bashkatdhetarë, anëtarë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, personalitete nga diaspora jonë evropiane e nga SHBA-ja, me mjaft diplomatë karriere, si dhe me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë”, tha Destani.
Pas Tiranës, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë me agjendën në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, ku do të zhvillohen takime me përfaqësues të lartë të politikës, qeverive të këtyre dy vendeve dhe me përfaqësues të bizneseve.

