Ndryshimet e ligjeve për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10 D janë në përputhje me Kushtetutën dhe në drejtim të lehtësimit të punës në terren, theksoi deputetja e LSDM-së Belkisa Zeqiri në një përgjigje ndaj deputetëve të opozitës në seancën e sotme parlamentare.

“Ndryshimet bëhen për të përfunduar në mënyrë më efikase, efektive dhe më të lirë projektet që janë me interes strategjik. Dhe kjo nuk është vetëm për korridoret aktuale, por edhe për të gjitha projektet e ardhshme strategjike kombëtare në infrastrukturë”, tha Zeqiri.

Deputetja Zeqiri theksoi se elementet kyçe të Marrëveshjes me Bechtel-in dhe Enkën, si vlera e marrëveshjes, mënyra dhe kohëzgjatja e ndërtimit nuk kanë qenë asnjëherë sekret, duke shtuar se me ndërtimin e korridoreve vendi ynë më në fund po bëhet një udhëkryq i vërtetë në rajon.