Kryeministri Edi Rama ka bërë publike axhendën e takimeve të tij dyditore në 5 vende të Ballkanit Perëndimor, pasi i dha fund nismës për Ballkanin e Hapur, dhe rikthimit të rajonit në procesin e Berlinit.
Vendi i parë që do të vizitojë Rama është Maqedonia, ku pritet që të ketë takim atje me kryeministrin vendas Dimitar Kovacevksi, dhe më pas do të niset drejt Kosovës, ku e pret një axhendë ende e pakonfirmuar sa i takon takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Rama do të takojë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, ndërkohë që takimi me Kurtin mbetet pezull, sa kohë që ky i fundit i vendosi një kusht gjatë ditës së djeshme. Kurti tha se do të takohej me Ramën, vetëm në rast se ky i fundit do të linte një takim për mbledhjen mes dy qeverive, e cila u shty në mënyrë të njëanshme nga pala shqiptare në muajin Qershor.
Pas Kosovës, axhenda e Ramës vijon gjatë ditës së nesërme me takime të nivelit të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Malin e Zi dhe në Serbi, ku pritet që të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit ishte dhe një prej më të zhgënjyerve sa i takon qëndrimit të Ramës për ti dhënë fund nismës së Ballkanit të Hapur.


Çfarë deklaroi dje Kurti:
Jam në kontakt të drejtpërdrejt me Ramën dhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Di që ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor dhe i kam kërkuar që meqenëse do të vijë të qëndrojë dy ditë dhe një natë në Prishtinë, të mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive që u anulua paparsyeshëm ndnoëse ishte paraparë muaj më parë me 14 qershor në Gjakovë.
13 marrëveshje kanë ngelur në sirtar. Në mënyrë që të mos ngelen edhe më tutje, sepse nga këto përfitojnë qytetarët, unë i kam propozuar Ramës që meqenëse po vjen këtë javë le të mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive tona dhe të nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara dhe që janë në sirtar. Procesi i Berlinit është i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan lider politik, institucional si kryeministri i Kosovës që ka mbështetur Procesin e Berlinit.
Por Procesi i Berlinit e ka samitin e radhës në tetor, tani jemi në Korrik. Përderisa i bëjmë këto përgatitje kaq herët, të mos vonohemi edhe me një anulim të paarsyeshëm të mbledhjes së dy qeverive. Nëse insiston mbetem te qëndrimi që kam dhënë se për takime të ne të dyve ne kemi kontakt të drejpërdrejt, ne takohemi shumë shpesh. Mos e shikoni, gjatë këtyre dy viteve në qeverisje kam një dyzinë takimesh me kryeministrin Rama.
Nuk lëngon raporti Kosovë – Shqipëri, por edhe demokracia e paqja në Ballkan pse nuk takohen kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar pa arsye, andaj unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo takime të tjera.
Rama refuzoi çdo koment dje
Në një konferencë për mediat gjatë ditës së djeshme, Rama refuzoi që ti përgjigjej interesit të gazetarëve në lidhje me qëndrimin e Kurtit. Ai tha se nuk do të bënte asnjë koment për këtë, ndërkohë që sot pritet me interes nëse dy kryeministrat shqiptar do të arrijnë të gjejnë një marrëveshje mes tyre.
Opozita në Kosovë: Rama i mirëseardhur
Deklaratat e Kurtit, që i vendosi kusht takimit me Ramën, nuk janë pritur mirë nga opozita në Kosovë.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas një takimi me analistët në vend, tha se Rama është i mirëseardhur në Kosovë.
“Natyrisht se kryeministri i Shqipërisë është i mirëseardhur në Kosovë. Çdo kryeministër i Shqipërisë duhet të jetë gjithmonë i mirëseardhur në Kosovë. Fakti që ne e diskutojmë një çështje të tillë, nëse duhet të mirëpritet një kryeministër i Shqipërisë tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova dhe nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje sinqerisht. Kryeministri i Shqipërisë, pozicioni i tij, atë që përfaqëson ai dhe populli shqiptar janë të mirëseardhur në shtëpinë e tyre në Kosovë, gjithmonë”, tha kreu i LDK, Abdixhiku.
Ndërkohë, Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kurti duhet ta presë Ramën.
“Nëse vjen kryeministri Edi Rama po vjen për shqetësimet e reja. Mendoj që Kurti është mirë me pritë. Situata është serioze mendoj që duhet me prit. Situata është serioze, po shkojmë në një izolim. Nuk guxojmë që t’i mbyllim të gjitha dyert”, deklaroi Haradinaj.
Muaj i vështirë në marrëdhëniet mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës
Ky i fundit ka qenë një muaj i marrëdhënieve aspak normale mes dy kryeministrave shqiptarë, Edi Rama dhe Albin Kurti, që nisi me draftin për Asociacionin që u prezantua nga Tirana, anulimin e mbledhjes së 2 qeverive, propozimin për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, dhe tashmë kulmon me anulimin e takimit mes kryeministrave.
Rama ka zgjedhur që në konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës të marrë një rol negociator, ndërsa një gjë e tillë është mohuar vazhdimisht nga Albin Kurti, të cilit i është dashur që të luftojë në disa fronte, një prej të cilëve pikërishr ai me kryeministrin shqiptar.
Shqipëria prej takimin e lartë në kuadër të procesit të Berlinit
Në mesin e muajit Tetor në Tiranë do të mbahet një takim i nivelit të lartë mes përfaaqësuesve të BE, dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit. Kjo i parapriu dhënies fund të procesit për Ballkanin e Hapur, nismës rajonale që Rama e konsideroi si lëvizjen e shekullit, e cila ‘dha shpirt’ në harkun kohor të katër viteve.
(E.K/Faxweb.al)


