Grupimi i Berishës ka ankimuar ditën e sotme në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve vendimin e KQZ, e cila një ditë më parë regjistroi PDSH të përfaqësuar nga Lulzim Basha në zgjedhjet e pjesshme të bashkisë së Kukësit, që do të mbahen në datën 24 shtator.

Në shkresën drejtuar KAS-it, ‘Rithemelimi’ kundërshton vendimin që KQZ mori një ditë më parë dhe kërkon që të çregjistrohet PDSH me përfaqësues Lulzim Bashën dhe të regjistrohet grupimi i Berishës.

Kujtojmë se  ditën e djeshme, Komisoneri Ilirjan Celibashi regjistroi për zgjedhjet e 24 shtatorit për kryetarin e bashkisë në Kukës PD me drejtues Lulzim Bashën, duke hedhur poshtë kërkesën e Sali Berishës për të marrë pjesë në këtë betejë elektorale me logon e Partisë Demokratike.

Vendimi i Celibashit u bazua mbi vërtetimin e gjykatës se Lulzim Basha është kryetar i Partisë Demokratike. Ky vërtetim reflekton zgjedhjen e Bashës në krye të partisë më të madhe të opozitës në qershorin e vitit 2021, pasi as dorëheqja e tij dhe as rizgjedhja e tij nuk janë shqyrtuar nga gjykata e nuk janë pasqyruar në regjistrin e partive politike.